27°C

Tiranë

"I vrenjtur"

Lageshtia: 48%

Era: 9.66 km/h

Mania e shqiptarëve për kafshët, ja sa kushton

Pronarët e dyqaneve të kafshëve tregojnë se shitjet janë të larta, kryesisht për qentë dhe macet, por nuk mungojnë edhe shitjet e kafshëve më të çuditshme për ambientin e një shtëpie, si gjarpri, lepuri apo minjtë e bardhë.

Qeni i publikuar në foto quhet Bruno dhe në janar  mbushi 1 vjeç. Trajtimi për të nuk ndryshon me trajtimin e një fëmije po një vjeç.

Me gjithë këtë tendencë, asgjë nuk është jashtë normales, sepse një kafshë të ndryshon mënyrën e të jetuarit. Nuk është vetëm një mënyrë për të luftuar stresin apo për të qenë në modë, por këto kafshë përdoren edhe për t’i ardhur në ndihmë njerëzve me probleme apo që vuajnë vetminë.

T’i blesh, por edhe t’i mirëmbash

Të blesh një kafshë shtëpiake nuk do të thotë vetëm ta marrësh nga dyqani, ta çosh në shtëpi dhe ta nxjerrësh shëtitje, por të kujdesesh për të, t’i plotësosh nevojat njësoj si të ishte njeri.

Në dyqanet ku shiten kafshët shtëpiake, që nuk janë të shpeshta në kryeqytet, çmimet janë të ndryshme. çdo gjë varion nga lloji i kafshëve, raca dhe tipare të tjera. çmimi i një qeni apo maceje në dyqanet e kryeqytetit varion nga 17,000 deri në deri në 30,000 lekë apo edhe 50,000 nëse janë raca të veçanta.

Të blesh një mace kushton nga 10,000 deri në 20,000 lekë, në varësi të racës dhe përmasave. Shumë më shtrenjtë, deri në 400 apo 500 euro, kushton të mbash në shtëpi një gjarpër. Një lepur kushton nga 1,000 deri në 3,000 lekë, ndërsa më pak të kushtueshëm janë zogjtë, nga 300 deri në 1,500 lekë apo edhe peshqit. Sipas Maksim Xhepës, pronar i një dyqani kafshësh, në kryqëzimin e Tiranës së Re, shqiptarët nuk kursehen ndaj kafshëve të dashura, kjo, sepse ata i blejnë për qëllime të ndryshme.

T’i mirëmbash, edhe kjo ka kosto

Eshtë shumë e vështirë të përllogarisësh se sa është numri i familjeve shqiptare që mbajnë një qen ose mace për shoqëri, ose për nevoja të tjera.

Blerja e një kafshe nuk mjafton, pasi duhet ta mirëmbash atë dhe duket se kostoja, sipas pronarëve të këtyre dyqaneve, nuk është e lartë, rreth 3,000 lekë në muaj. Ajo që të kushton më shumë është koha dhe durimi, sepse për ata që nuk e kanë, është më mirë të mos i futen kësaj aventure.

Lindita Shehu, pronare e një dyqani kafshësh në rrugën “Hoxha Tahsin”, thotë se njerëzit i shoqërojnë blerjet e kafshëve edhe me aksesorë apo ushqime të veçanta. “Shpesh klientët preferojnë t’i ushqejnë me ushqime të gatshme. Vijnë pothuajse çdo muaj ose dhe më shpesh, blejnë një thes 10 kilogramë që kushton 2,000 lekë. Vizita te veterineri kushton rreth 3,000 lekë”, shprehet pronarja e këtij dyqani. Sa i takon aksesorëve, ata janë nga më të shumëllojshmit, nga zinxhirët e qafës e të trupit e deri te lodrat, si top apo edhe maska të vogla. çmimet janë të ndryshme. Një qafore lëkure për qentë kushton 1,500 lekë, një top i vogël 500 lekë.

Sipas pronarëve të këtyre dyqaneve, njerëzit preferojnë t’i blejnë aksesorët në varësi edhe të gjinisë së kafshëve, duke iu përshtatur kushteve në shtëpi apo kur duan t’i nxjerrin për shëtitje.

Nuk është habi që në dyqane të gjesh edhe këpucë apo vëthë. Ka njerëz që janë “të çmendur” pas “look”-ut të qenit apo maces së tyre. Për shembull, në dyqane, përveç ushqimit të gatshëm prej 5 kilogramësh që kushton nga 1,000 deri në 3,000 lekë, mund të gjesh edhe këpucë që kushtojnë deri në 2,000 lekë. Madje për qenin apo macen mund të gjenden edhe bluza të posaçme nga të gjitha ngjyrat dhe të të gjitha përmasave. çmimet për këto nisin nga 1,000 lekë deri në 2,000 lekë.

Kurse për momentin e ndarjes së të vegjëlve nga qenushja apo macja ka biberon të posaçëm, të cilët i gjen thuajse me çmimet e biberonëve për fëmijë, 800 lekë. Me çmime sa të produkteve të njerëzve mbeten shampot e larjes së flokëve, të cilat, ka raste që edhe e kalojnë kufirin e 800 lekëve.Mania e fundit e “të zotëve” të këtyre kafshëve mbetet qethja me stil apo lyerja e pjesëve të ndryshme të qimeve të qenit apo maces. Gjithçka në emër të pamjes së jashtme dhe konkurrencës, se cila kafshë do të jetë më e bukura.

Shqiptarët nuk janë njohës të mirë

Shitësit e dyqaneve shprehen se qytetarët që drejtohen për të blerë apo për të vizituar një kafshë nuk janë njohës të mirë të tyre. Ata nuk i njohin llojet, ndarjet dhe nënndarjet e tyre. Për shembull, qentë dhe macet janë të llojeve të ndryshme, por blerësit i klasifikojnë sipas tipareve dalluese. Një qytetar, kur shkon të blejë një qen, shprehet se kërkon një qen të vogël ose të madh, me veshë të vegjël apo të mëdhenj, me qime të gjata ose të shkurtra.

E njëjta gjë ndodh edhe për shpendët, ata zgjedhin kanarinat nga cicërima e tyre e veçantë dhe nga ngjyrat e bukura që kanë pendët e tyre. Po kështu ndodh edhe me macet, preferohen macet e bardha, me qime të gjatë dhe me ngjyrë të bardhë. Papagajtë pëlqehen për llafazanërinë e tyre, duke qenë një nga kafshët më zhurmuese. Në dyqane tregtohen kafshë, të cilat janë të pajisura me licencën e ushtrimit të aktivitetit dhe njëkohësisht me një certifikatë të rregullt. Në certifikatë janë hedhur të gjitha të dhënat zyrtare, ku thuhet gjinia, lloji, raca, mosha dhe vaksinimi që i është bërë. Të gjithë shpendët apo kafshët që tregtohen janë të importuara nga vendet e huaja.

Ato pajisen me dokumentin shëndetësor kur importohen. Në pikat e kalimit kufitar ushtrohet kontroll veterinar dhe në rastet kur rezulton se ato janë mbartëse të ndonjë sëmundjeje, izolohen dhe kryhen ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar prejardhjen e sëmundjes dhe rrezikun që mund të përhapë në popullatë.

Tregu botëror i kafshëve shtëpiake, 51 miliardë euro

Gjithnjë e më shumë, tregu i kafshëve shtëpiake apo i aksesorëve dhe ushqimeve të tyre po njeh rritje. Sipas të dhënave të kompanisë së kërkimeve “Euromonitor International” kjo rritje llogaritet mesatarisht 3 për qind në vit.

Për vitin 2013 është parashikuar që ky treg në mbarë botën të arrijë shifrën 51 miliardë euro.

Shkaqet që kanë çuar në rritjen e këtij tregu janë të ndryshme, ndër të cilat renditen rritja e pronësisë (si pasojë e rritjes demografike, të numrit të atyre që janë të vetmuar apo edhe të moshuarve), humanizmi i kafshëve, rritja e cilësisë, si dhe një sërë programesh efikase të marketingut.

Parashikohet që në tregun e kafshëve shtëpiake të futen edhe markat e mëdha si “Nike” ose “Adidas”.

Sipas të dhënave, në Amerikën e Veriut ky treg për vitin 2013 do të llogaritet në 26.3 miliardë euro, në Europën Perëndimore shifrat flasin për një treg i cili, deri në fund të vitit, do të arrijë në 17 miliardë euro. Azia llogarit se tregu i kafshëve shtëpiake do të arrijë në 4 miliardë euro, ndërsa Amerika Latine në 5 miliardë euro.

“Euromonitor” parashikon që porsa i përket Europës Lindore ky treg do të arrijë në 2 miliardë euro në 2013, gati dyfishi i shifrës së një viti më parë.

Pronarët e dyqaneve të kafshëve kanë rritur edhe praninë e tyre në treg, shifër e cila pritet të rritet deri në 23 për qind.

Për shifrat që paraqiten, tregu i kafshëve shihet me potenciale të mëdha.

Të dhëna

400 euro kushton një gjarpër

200 euro një qen

100 euro një mace

Nga 1,000 deri në 3,000 lekë kushton 5 kilogramë ushqim

1,500 lekë një qafore lëkure

800 lekë një shampo për kafshët

15-20 është numri i kafshëve që shet në muaj mesatarisht një dyqan