11°C

Tiranë

"Me diell"

Lageshtia: 33%

Era: 3.22 km/h

Jeta në trupat gjeometrikë

Gjeometria e shenjtë është baza e krijimit dhe gjeneza e të gjitha formave. Është një shkencë e lashtë, e cila eksploron dhe shpjegon modelet e energjisë, të cilat krijojnë dhe bashkojnë gjithçka dhe në të njëjtën kohë, zbulon në mënyrë ekzakte se si energjia e krijimit organizon veten e saj. Në çdo shkallë, çdo model natyror rritjeje apo lëvizjeje, përkon në mënyrë të paevitueshme me një apo më shumë forma gjeometrike.

Sapo hyn në botën e gjeometrisë së shenjtë, fillon të vëresh si kurrë më parë modelet e mrekullueshme dhe perfekte të krijimit. Molekulat e ADN-së, bebja e syrit, flokët e dëborës, pishat, petalet e luleve, kristalet e diamantit, degët e pemëve, mburoja e kërmijve, yjet në qiell, galaktika në të cilën ndodhemi, ajri që thithim dhe të gjitha format e jetës, ashtu siç i njohim, janë krijuar prej kodeve të përjetshme gjeometrike. Të vëresh dhe të studiosh këto kode, të lejon të shikosh drejt në linjat e fytyrës së zgjuarsisë së thellë dhe të ofron një shfaqje të punës së brendshme të “trurit universal” dhe të vetë universit.

Në lashtësi besohej se eksperienca e gjeometrisë së shenjtë është thelbësore për edukimin e shpirtit. Ata e dinin se këto modele dhe kode ishin simbolika e vetë qenies sonë të brendshme dhe struktura të imtësishme të vetëdijes. Atëherë, termi “i shenjtë” kishte një domethënie të veçantë, e cila përfshinte vetëdijen dhe misterin e thellë të ndërgjegjes… mrekullia e fundit e shenjtë. Gjeometria e shenjtë merr një tjetër nivel domethënieje kur bazohet në eksperiencën e vetëdijes.

Trupat platonikë

Që para 2500 vjetësh, në shkollat greke të misterit, thuhej se ekzistojnë pesë forma tridimensionale perfekte: tetraeder, hekzaeder, oktaeder, dodekaeder, ikosaheder.

Këto trupa së bashku njihen si trupat platonikë dhe janë thelbi i gjithçkaje në botën fizike. Studiuesit modernë e kanë përqeshur këtë ide deri në vitet 1980, kur profesor Robert Moon i Universitetit të Chikagos demonstroi se e gjithë tabela periodike e elementeve, pra gjithçka në botën fizike, është e bazuar në këto pesë forma. Në fakt, kudo në fizikë, kimi apo në biologjinë moderne, modelet e gjeometrisë së shenjtë po rizbulohen, por shpeshherë pa kontekstin e madh të kuptimit shpirtëror, i cili i mbron nga keqpërdorimi.

Energjia në veprim

Leonardo Fibonacci ka qenë një matematicien italian, i cili i prezantoi dhe i popullarizoi Europës sistemin e numrave hindu-arabikë (i quajtur gjithashtu si sistemi dhjetor). Ai i dha një kontribut shumë të madh teorisë së numrave dhe gjatë jetës së tij ka publikur shumë libra të rëndësishëm. Ai është gjithashtu i njohur për Serinë Fibonacci, seri numerike të hasura shumë shpesh në botën natyrore.

Sekuenca Fibonacci prodhohet duke mbledhur dy numrat paraprijës së bashku, për të formuar tjetrin dhe kështu me radhë (1, 1, 2, 3, 5, 8, 13, 21, 34, 55…). Pjesëtimi i çdo numri të sekuencës me atë paraprijës, për shembull, 55/34 ose 21/13, jep gjithnjë një numër shumë të afërt me 1.61803. Ky është quajtur si “Raporti i Artë”.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe më domethënëse i gjeometrisë së shenjtë është “Spiralja e Artë” e përftuar nga “Raporti i Artë”.

Spiralja e Artë është përdorur në dizenjimin e ndërtesave të shenjta në arkitekturën e lashtë për të prodhuar energji shpirtërore, e cila favorizonte lidhjen me fushat shpirtërore pa u lutur. Realiteti ynë është shumë i strukturuar, madje jeta është e strukturuar në detaje të imtësishme. Kjo reflektohet në të gjithë natyrën në formën e gjeometrisë. Gjeometria është baza e realitetit tonë, kjo do të thotë që jetojmë në një botë koherente të qeverisur nga ligje që nuk shihen me sy, por që manifestohen në botën tonë në forma të ndryshme. Spiralja e Artë drejton raportin e botës tonë dhe mund të gjendet edhe në format e gjalla (aktive), të cilat mund të duken si jo më proporcionalet.

Një tjetër shembull, ndoshta më pak i dukshëm i këtij raporti të veçantë, mund të gjendet edhe në ADN – mekanizmi krijues dhe drejtues i të gjitha qenieve të gjalla.

Kuptimi i gjeometrisë si një pjesë e ekzistencës tonë nuk është diçka e re, por në fakt Spiralja e Artë dhe format e tjera të gjeometrisë kanë qenë baza e shumë monumenteve antike, të cilat ekzistojnë edhe në ditët e sotme. Shembulli më i mirë për këtë fakt është Piramida e Madhe në Giza. Gjatësia e kësaj piramide është në raport me Fi-në në bazën e saj. Në fakt, gjeometria në këtë strukturë të veçantë është shumë më e detajuar se në çdo ndërtesë tjetër moderne të ditëve të sotme.

Kjo shpjegon përse format më të famshme me kuptim shpirtëror janë piramidat dhe hemisferat (për shembull, kupolat, të cilat janë bazat e ndërtesave fetare si xhami, kisha e sinagoga). Këto forma të veçanta janë transmetuese energjie dhe një lloj vale penetruese, të cilat Chaumery dhe De Belizal, i kanë quajtur jeshilja negative (e cila sillet si valë radioje që përçon informacion). Cilësitë tronditëse të Spirales së Artë i japin këtyre formave veti të forta komunikative, të cilat lehtësojnë rezonancën me fushat më të larta të lutjeve.

Ne jetojmë në dimensionin e tretë ose “Plani i Manifestimit”. Spiralja e Artë funksionon si një portë intradimensionale, nga e cila lind materia, që më pas manifestohet në realitetin tridimensional. Për shembull, kur lind një yll, ai ndjek një numër specifik sekuencash apo rregullash universale, të njëjtat rregulla të jetës në procesin e përhapjes. Më pas shohim dritën! Pra, asgjë nuk ndodh rastësisht. Natyra është një mekanizëm kompleks dhe perfekt. Mund të themi se Spiralja e Artë funksionon si një burim i pandarë i krijimit. Kur ne rikrijojmë këtë sekuencë lëvizëse dhe gjithmonë në rritje kuptojmë se është mjaft e ngjashme me procesin e përhapjes së jetës, e cila lind nga një pikë e më pas rritet e përhapet duke u zgjeruar në pafundësi. Ajo riprodhohet ekzaktësisht në bazë të Raportit të Artë, duke i rritur dimensionet e saj në përputhje perfekte me sekuencën magjike, ku çdo numër i korrespondon një pike të spirales, e cila me pikën tjetër pasuese formon njëçerek rrethi tangent me brendësinë e çdo rrethi. Përmasat e çdo çerek rrethi janë në Raport të Artë me çerek rrethin paraprijës. Tërësia e këtyre çerek rrathëve krijojnë këtë spirale logaritmike perfekte. Ashtu si vetë procesi i jetës, Spiralja e Artë është pa dyshim dhe në mënyrë të pamohueshme eksperienca më harmonioze dhe balancuese, ku asnjë element nuk del jashtë formulës “hyjnore”.

Të gjitha format e observuara në natyrë janë të lidhura ngushtë me gjeometrinë, e cila siguron mbarëvajtjen e procesit të tyre jetik. Për shembull, kërmilli rritet në një raport konstant dhe në këtë mënyrë, zhgualli i tij formon një spirale logaritmike, e cila përshtatet në mënyrë perfekte me rritjen e tij. Bletët krijojnë qeliza në formë perfekte gjashtëkëndore, pasi kjo formë është më optimalja për të ruajtur mjaltin e tyre. Këto dhe të gjithë rastet e tjera janë prova të kuptimit kozmik dhe jetësor të formave gjeometrike.

Magjia e gjeometrisë

Biogjeometria është një shkencë që studion efektin e formave gjeometrike në funksionet e jetës dhe dizajnin e formave, të cilat ndërveprojnë me fushat energjetike të Tokës për të prodhuar efekte të veçanta të përllogaritura në sistemin biologjik. Kjo shkencë është zhvilluar fillmisht nga Dr. Ibraham F. Karim në Kajro, i cili e ka studiuar atë që në vitin 1968.

Kërkimet në biogjeometri i janë dedikuar më së shumti zhvillimit të formave të reja të arkitekturës, të afta për të gjallëruar sistemin njerëzor biologjik dhe për t’i dhënë një kuptim të ri konceptit të shtëpisë. Për të përmirësuar cilësinë energjike të shtëpive ekzistuese, duke zhdukur efektet e këqia të mundshme të fushave energjetike të pakontrolluara, të nxitura nga format arkitekturore, ngjyrat e mobiljeve, sistemi ndriçues dhe orenditë elektroshtëpiake, elementet dekorative të formave të caktuara vendosen në vende strategjike për të neutralizuar energjinë negative dhe për t’i shtuar cilësi pozitive.

Bizhuteritë e dekoruara me forma biogjeometrike kanë treguar efekt shumë pozitive në fushën energjike njerëzore, duke reduktuar rreziqet potenciale të shëndetit të shkaktuara nga valët negative të telefonave celulare, kompjuterave dhe pajisjeve të tjera elektronike. Biogjeometria mund të konsiderohet edhe si shkenca e përmirësimit të mirëqenies shpirtërore, duke krijuar një mburojë që çliron energji pozitive, si për natyrën ashtu edhe për qeniet njerëzore.