23°C

Tiranë

"Kryesisht me vranesira"

Lageshtia: 42%

Era: 3.22 km/h

Vritet pas tetë muajsh lirimi nga burgu

Shefqet Kelmendi është vrarë mbrëmjen e së martës në Pejë, në rrethana ende të pasqaruara.


Ai fillimisht ishte plagosur me armë zjarri, ndërsa një orë më vonë ka vdekur në Spitalin Rajonal të Pejës. Policia e Pejës nuk ka bërë të ditur detajet e vrasjes, por ka thënë se po vazhdojnë procedurat hetimore sipas urdhëresës së prokurorit të Prokurorisë Themelore.

 

“Oficerët hetues të këtij rasti intensivisht dhe në bashkëpunim me prokurorin e çështjes janë duke mbledhur prova dhe dëshmi për të ndriçuar të gjitha rrethanat për këtë vrasje ”, ka bërë të ditur policia.

Policia ka thënë se ka dalë në vendin e ngjarjes, në rrugën “Bajram Kelmendi”, ku ka ndodhur rasti, dhe kanë gjetur të plagosurin pranë makinës së tij. Po ashtu është bërë e ditur se viktima është dërguar për obduksion në Prishtinë.

“Njësitet përkatëse të hetimeve në nivel lokal dhe rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe lidhur me rast është njoftuar edhe prokurori i çështjes, me autorizimin e të cilit ka filluar këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet e tjera operativo-hetimore”, thuhet në komunikatën për shtyp të policisë.

Ndërkohë policia është shprehur e rezervuar për informata deri në kapjen e ndonjë kryerësi të mundshëm.

“Është vrasje enigmatike për momentin dhe deri në arrestimin e ndonjë personi nuk mund të themi asgjë”, i ka thënë gazetës Xhevat Ibra, zëdhënës i Policisë së rajonit të Pejës.

Në vitin 2006, Shefqet Kelmendi, së bashku me dy djemtë e tij, Xhevdetin dhe Valdetin, ishin akuzuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, në vitin 2006. Por, një trup gjykues i misionit për sundim të ligjit, EULEX që të tre i kishte liruar në mungesë provash. 

Në aktakuzën e pjesshme që e ka siguruar gazeta, thuhet se më 7 maj 2007, Zyra e Prokurorisë Speciale në Prishtinë ka paraqitur një aktakuzë ( PP.nr. 387/06 PPHQ.nr.87/06), ku të përfshirë kishin qenë së bashku me Shefqet Kelmendin e dy djemtë e tij edhe Kreshnik Haxhiaj e Adrian Kolmaku nga Shqipëria për veprat penale me “bashkim kriminal”, në lidhshmëri me “vrasjen e rëndë ”, nga neni 147 par. 1, pika 9, dhe “ vrasje e rëndë ”, nga neni 147 par. 1, pika 4, dhe mbajtje në pronësi, nën kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, nga neni 328, par. 1, të Kodit Penal të Kosovës.